
“29 nëntor, hapet për qarkullim Rruga e Arbrit!”. Një deklaratë e ministres se Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka entuziazmuar banorët e qarkut Dibër. Por, a do të hapet e gjitha?! BoldNews.al bëri një vëzhgim të plotë në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge.
Rezultati ishte befasues: Nga e gjithë gjatësia, do të hapet për qarkullim rreth 1/3 -ta. Natyrisht, mjetet propagandistike të qeverisë kanë sjellë një çoroditje te banorët, pasi çdo ditë kanë parë që segmente të tëra janë ndërprerë. Por, nëpërmjet fotove dhe videove, po hedhim dritë mbi këtë segment.
Video: Segmenti nga zona e quajtur Shkalla e Tuajnit, deri në fshatin Bastar, asnjë punim
Sipas vëzhgimit të BoldNews.al, rruga nga zona e quajtur Shkalla e Tujanit, deri në fshatin Bastar, ende nuk ka përfunduar. Është bërë traseja, ndërkohë që nuk është shtruar me asfalt. Punimet janë ndërprerë dhe në zonë s’ka asnjë makineri.
Foto dhe video: Ende s’ka përfunduar tuneli i Murrizit, mjetet do kalojnë nga një rrigë dytësore, shumë e ngushtë
Një nga veprat kryesore të rrugës së Arbrit, ka qenë tuneli i Murrizit, që lidh zonën e Tiranës me zonën e Klosit. Tuneli ende s’ka përfunduar, pasi ka pasur rrëshkitje të mëdha. Për këtë arsye, mjetet do të kalojnë në një rrugë të ngushtë me kthesa të forta për dhjetëra kilometta. Madje, në lartësi tepër të madhe. Me afrimin e dimrit, në këtë zonë bie borë dhe rruga ngrin. Por, ngushtësia dhe kthesat e forta e bëjnë akoma më të rrezikshme. Gjithashtu, edhe sinjalistika lë shumë për të dëshiruar.
Video: Dy tunelet që të çojnë në Klos kanë përfunduar
Një segment i shkurtër, nga dalja e tunelit të Murrizit, deri në fshatin Fshat të Klosit ka përfunduar. Këto jane kilometrat e vetme të hapura të kësaj rruge. Madje, ka përfunduar edhe një urë, që të çon në këtë fshat.
Video: Hapja e Rrugës së Arbrit do të jetë deri në fshatin Fshat të Klosit, më pas mjetet do të kalojnë në rrugën e vjetër Klos-Bulqizë
Automjetet që duhet të shkojnë në Bulqizë dhe Peshkopi duhet të devijojnë nga rruga e Arbrit, në rrugën e vjetër Klos-Bulqizë. Në këtë zonë po ndërtohet një rrugë lidhëse, e cila ende s’ka përfunduar.