
Meta sot prezantoi kandidatët për Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke konfirmuar se ai do të jetë vetë në zgjedhje
Ish-kryeministri Sali Berisha duket se ka mbetur mes 4 rrugëve sa i takon zgjedhjeve të 14 majit. Pas shuplakës që i dha Gjykata e Apelit një javë më parë, ai sot mori goditjen finale nga KQZ. Komisioneri Ilirian Celibashi nuk pranoi që PD të futet në zgjedhje me emrin e tij, por të Lulzim Bashës.
Prej ditësh flitej se Berisha do shkonte më 14 maj nën logon e Partisë së Lirisë, por as kjo nuk ka për të ndodhur. Me shumë mundësi Berisha do të “falet” te Nard Ndoka, Sali Shehu apo Kujtim Gjuzi.
Meta sot prezantoi kandidatët për Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke konfirmuar se ai do të jetë vetë në zgjedhje. Sipas Kodit Zgjedhor, nëse një koalicion futet në zgjedhje, duhet që të ketë listë unike kandidatësh dhe partitë nuk mund të dalin me lista të ndaras. Meta prezantoi 63 emra, duke treguar hapur se nuk ka koalicion me Berishën.
Por ai që i ka vënë kapak është Tritan Shehu. Në një intervistë ai ka konfirmuar se “Foltorja” dhe Meta do të jenë të ndarë në zgjedhje dhe jo si koalicion. Sipas tij, Meta do mbështesë kandidatët e Berishës për kryetarë bashkie, por do garojë si sigël më vete dhe ka synim këshillat bashkiakë.
“Nuk është Meta pjesë e koalicionit. Janë parti të tjera. Pa dyshim Meta dhe Partia e Lirisë do të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë bashkitë e vendit de kjo është deklaruar. Ata nuk kanë dalë me lista për kryebashkiakë. Por kanë dalë me lista të veçanta për këshilltarë. Në bazë të ligjit Meta nuk mund të jetë pjesë e këtij koalicioni”, tha Shehu.
Sipas informacioneve, Berisha mund të përdorë një prej partive që i shkojnë nga pas për të kamufluar listën e tij të kandidatëve. Deri më tani ata që i shkojnë nga pas janë: Nard Ndoka, Kostaq Papa, Adriatik Alimadhi, Sali Shehu, Kujtim Gjuzi dhe Ekrem Spahia.
Pak kohë më parë i mblodhi dhe në një takim ku konfirmua aleancën. Po ashtu këto parti janë regjistruar në KQZ. Si duket tani Berisha do të krijojë një koalicion me gjithë këto parti dhe në listën e kandidatëve do fusë emrat e “primareve”. Pra duket se ky është poshtërimi më i madh që po i bëhet Saliut, i cili është lënë në baltë dhe nga Meta. /Pamfleti