Deputetët e Lulzim Bashës janë përfshirë në një skandal publik duke mashtruar shqiptarët se hapën dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Një skenar banal politik nga Basha, Alibeaj e Co të cilët disa javë më parë trumbetuan në Kuvend me të madhe se dosjet po hapeshin, kur në fakt ato po kyçeshin më keq.
E gjitha duket se ishte një lojë e socialistëve, ku Alibeaj, Basha dhe deputetët e tyre bënin sikur s’kuptonin dhe po shpallnin një nga ato fitoret e radhës të Lulit.
CNA.al duke e ditur këtë skemë të përsëritur, pak ditë më parë i çoi një letër zyrtare Autoritetit të Dosjeve ku i kërkoi hapjen e tyre për një sërë personazhesh publike, gazetarë, ministra dhe politikanë.
Një ditë më parë, Autoriteti i Dosjeve dha një përgjigje për kërkesën, duke thënë se dosjet nuk janë hapur.
Përmes përgjigjes zyrtare Autoriteti i Dosjeve pranon publikisht se nuk janë hapur dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Redaksia e CNA.al ka kontaktuar disa nga deputetët kryesorë të grupit të Lulzim Bashës që shpallën fitoren e tyre në ditën që u votuan ndryshimet ligjore. Nga Enkelejd Alibeaj te Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Lefter Gështenja, Kreshnik Çollaku etj.
Këta janë emrat të cilët në seancën e 20 tetorit në Kuvendin e Shqipërisë kanë votuar pro këtij ligji dhe na thanë publikisht se kishin kryer një fitore historike, për hapjen e dosjeve për këdo.
I morëm në telefon dhe ju shkruajtëm të gjithëve, por ikën si djalli nga temiani, u fshehën si hajduti në kërkim, kur thjesht i pyetëm pse nuk janë hapur dosjet?
Gënjeshtra nuk zgjati më shumë se dy muaj.
Deputetët e Bashës, kanë mashtruar publikisht për hapjen e dosjeve, pasi edhe pse ligji ka hyrë në fuqi, dosjet nuk hapen.
Faktet se si deputetët e Bashës mashtruan publikisht.
I komanduari i Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj, u shpreh në fjalën e tij në Kuvend se është kokulur për hapjen e plotë të dosjeve.
“Asnjë triumf nuk ka në këtë çështje, nuk do bëj falënderim. Madje unë jam kokulur për hapjen e plotë të dosjeve. Dhe kështu duhet të jenë të gjithë, kokulur. Asgjë triumfaliste ka sot nëse arrijmë këtë detyrim të mohuar dhe gjithsecili nga ne duhet të bëj dhe të ulë kokën. Ajo që ne kemi sugjeruar për hapjen e dosjeve të kujtdo nuk është thjesht ndarja simbolike me komunizmin e diktaturën, por është një detyrim moral. Nuk bëhet thjesht hapja e dosjeve për të parë se kush kanë qenë shërbyesit, hapen për të parë ekzekutorët, ekspertët, gardianët e burgjeve, të cilët vd.ekjen e njerëzve të pafajshëm e kishin bukën e ditës. Do duhet ta hapim, do duhet të gjejmë kurajën. Në 2022 vendi i cili kërkon integrimin në Europë duhet ta kishte bërë më parë këtë gjë. Na falni shqiptarë kudo, ju të cilët keni vuajtur, ju që keni hequr të zinjtë e ullirit nga punëtorë e bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ndjesë!”- tha Alibeaj nga Foltorja.
Nga ana tjetër edhe deputeti Gazment Bardhi përmes një postimi në rrjetet sociale, ndër të tjera shkruante: Nuk ka asnjë gabim në hapjen e dosjeve.
“Punonjësit dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit kanë qenë një ‘ushtri’ me përgjegjësi kryesore në dhunën që diktatura ka ushtruar mbi shqiptarët. Nuk ka asnjë gabim në hapjen e plotë të dosjeve të tyre; nuk ka asnjë gabim në deklasifikimin e dosjeve të tyre; dhe nuk ka asnjë gabim në heqjen e çdo pengese për të kontrolluar këdo zyrtar të lartë që dyshohet se ka qenë spinun apo punonjës i Sigurimit të Shtetit.
Gabim është që të dalësh kundër vetvetes për interesa të supozuara të një individi. Gabim është të dalësh kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit ku të përndjekurit e tij janë themeli i mbështetësve të PD-së. Gabim është të justifikohesh me mashtrim se dosjet janë hapur plotësisht në 2008, duke qenë i ndërgjegjshëm që ai ligj nuk hyri dot në fuqi sepse u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Gabim është t’i japësh mundësi Edi Kristaq Ramës të flasë për këtë temë, kur PD ka qenë plot 14 vite në pushtet. Gabim është të fshihesh dhe të mos votosh.
Ligji i miratuar dje nuk është ligj kundër Ilir Metës, sa kohë ai mohon të ketë qenë spiun i Sigurimit të Shtetit! Pse qenka ligj kundër Ilir Metës dhe nuk qenka ligj kundër 6 rasteve të tjera, që autoriteti i dosjeve i raporton se ndodhen në të njëjtën pozitë?!
Nëse dikush ka qenë spiun apo punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe preket nga ligji, atëherë PD nuk i ka asnjë borxh askujt dhe nuk mund të heqë dorë nga parimet e veta për interesin e askujt. Është gabim historik të dalësh kundër trashëgimisë familjare apo politike për interesin e një apo disa individëve. Sigurimsat dhe spiunët e tyre duhet të jenë jashtë politikës, sistemit të drejtësisë dhe administratës publike. Jemi vonë, por nuk mund ta vonojmë më shumë me teatrin e shëmtuar të politikës 32-vjeçare”, shkruan Bardhi.
Edhe deputetja tjetër e Bashës, Jorida Tabaku, është shprehur në fjalimin e saj në Kuvend se:
“Hapja është një proces, dhe çdokush ka të drejtë të shohë veten në pasqyrë. Shoqëria jonë është vend ku askush nuk është dënuar për kri.met e komunizmit”, tha Tabak ndër të tjera.
Një tjetër deputet që mashtroi publikisht është Kreshnik Çollaku, i cili gjatë senacës në parlament tha: “I hapëm dosjet e sigurimit të Shtetit”
Më tej edhe Gjekmarkaj, ka pohuar se: Të votosh një ligj që hap dosjet është detyrim moral dhe politik për çdo ligjvënës.
Pra këto janë faktet se si kanë mashtruar publikisht deputetët e Bashës. Tashmë janë përballë faktit që dosjet nuk u hapen dhe e kanë me shkresë zyrtare.
Ligji ka hyrë në fuqi dhe mashtruesat publikë të Lulit tani nuk përgjigjen as në telefona si gënjyen dhe u tallën me shqiptarët. Sërish ishin vetëm vegla meskine dhe kobure politike në duart e propagandës të Rilindjes./ CNA.al