Gjendja e Arbërisë pas vd.ekjes së Gjergj Kastriotit

Shkruan: Aurel Plasari – vd.ekja, 17 Janar 1468

“Dhe gjithçkaja u rrënua”: e ka dhënë në mënyrë tejmase koncize Giovanni Muzaka situatën e Arbërisë mbas vd.ekjes së Skënderbeut. “Ishte një tokë e shkretuar për tmerr, – e përshkuan Jirečeku situatën mbasskënderbegiane të Arbërisë.

Vetëm midis Galipoje e Adrianopoje gjendeshin aq shumë qytete të shkretuara sa në krahinën e Shkodrës nuk kishte mbetur seli kishtare më këmbë, para së gjithash selitë peshkopale të Sardës, të Drishtit, të Baleçit, të Shatit etj., që ndodhen edhe sot të rrënuara qysh prej shek. XV”. “Ai ishte i vetmi Moisi – ka shënuar në Kujtimet e veta kalorësi Sagredo – që mund ta nxirrte nga skllavëria e Egjiptit dhe nga shtypja e Faraonit të Kostandinopojës Popullin Besnik…”. “Arbëria kishte vd.ekur tok me të”, thotë Lamartine-i në Historinë e vet kur përmend vd.ekjen e Skënderbeut. “Arbëria ishte tanimë vetëm një trup mbetur pa shpirt e frymë”, e ka përshkruar Fallmerayeri situatën mbasskënderbegiane.

Zotërve njëherësh aleatë dhe rivalë të tij – Thopia, Arianitë, Spanë, Zaharia, Dukagjinë, Muzakë, Skura e të tjerë – do t’u duhej të zgjidhnin njërën nga disa rrugët. Një pjesë shpejtuan të hidhnin në dorë ngastrat e Arbërisë që kishin qenë dikur “të tyret” dhe pranuan kompromisin duke u vënë në shërbim të pushtuesit dhe duke mohuar besimin e tyre dhe të të parëve të tyre, më shqip: duke tradhtuar Jesu Krishtin – tradhti e tradhtive – me vd.ekjen e të cilit kishin qenë pagëzuar brez mbas brezi. Një pjesë tjetër – më të vegjël se më të mëdhenjtë – parapëlqyen të tërhiqeshin në male për t’i ikur sundimit të pushtuesve me shpresën që do të mundnin ta vijonin qëndresën duke mos tradhtuar as kujtimin e “prijësit” dhe të luf.tërave të tij, as besimin e të parëve. Pjesa tjetër, pa pranuar të poshtëroheshin në vendin e tyre, zgjodhën ta braktisnin atdheun, të iknin e të endeshin në brigje të huaja, qoftë edhe duke u deklasuar e duke lypur: “Mërgim mjerimi dhe mynxyre” e cilësoi Muzaka që e provoi vetë.

Me vd.ekjen e Gjergj Kastriotit “shteti më i madh i krishterë i Ballkanit”, sikurse e kanë quajtur Šufflay, Jirečeku etj., ishte shpërbërë. Arbëria dhe arbërit e Gjergj Kastriotit e kishin humbur pavarësinë e fituar dhe të mbrojtur me njëçerek shekulli qëndresë dhe luf.tëra. Vetjakësim heroik i trimërisë dhe inteligjencës së një populli në epikrizën historike të tij, – ndoshta edhe i “patriotizmit të egër” dhe “gjenisë aventuroze”, si mendonte një Lamartine, – Skënderbe të dytë nuk kishte.

Por të thuash thjesht që “Skënderbe të dytë nuk kishte” për të shpjeguar humbjen e Arbërisë do të thotë të përmendësh një shkak metafizik dhe vetëm kaq. Rrethanat historiko-politike të qëndresës dhe të luf.tërave të tij dëftojnë që ai të kishte komanduar e qeverisur në mënyrë të tillë që, mbas vd.ekjes së tij, të mos kishte më “zëvendësues” dhe shteti i tij të mos qëndronte më në këmbë. Janë situata të kuptueshme për epoka si e tija: kurrfarë qortimi nuk mund t’ia bëjnë historianët. Kur e pyetën heroin e Machiavellit, Castruçio Castranin në hjekë e sipër, se si do të donte ta varrosnin, ai u përgjigj: “Me fytyrën përmbys, sepse e di që, me vd.ekjen time, ky vend do të vejë dëm”.

Peshkop Segoni ka treguar se vd.ekja e tij u pat qarë jo vetëm nga viset përreth, si dhe nga vetë turqit, por “nga gjithë princërit e Europës”.