“Tym i Bardhë” në Ohër pas 12 orë ethe negociatash historike mes Kosovës dhe Serbisë me negocimin e shefi të diplomacisë së BE, Borrell dhe Lajçak për propozimin evropian për dy palët.
Borrell doli në një deklaratë për media ku u shpreh se sot bisedimet u ndalën në hapa praktikë dhe më në fund mes dy vendeve pati bisedime konkrete dhe dy palët u pajtuan për aneksin e propozimit evropian.
Ashtu siç edhe e kishte lajmëruar një ditë më parë, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk ka firmosur asgjë për dialogun Kosovë-Serbi, por u shpreh se u arrit një kompromis në parim. Në një prononcim për gazetarët pas më shumë se 12 orësh raund bisedimesh në Ohër, Presidenti Serb u shpreh se është i kënaqur me marrëveshjen por megjithatë, ende nuk ka firmosur asgjë. Ka qenë një takim i ethshëm, i dyti pas atij të Brukselit, por kësaj radhe ndryshimi është parë vetëm nga ana e Beogradit.
Për rreth 6 orë ka qenë përballja ballë për ballë mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Borrell dhe Lajçak, por edhe kësaj radhe pa asnjë lloj siglimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Fillimisht takimet nisën të veçuara ku Kurti dhe Vuçiç u takuan me përfaqësues të BE-së dhe më pas nis takimi i tyre i përbashkët kokë më kokë, i cili zgjati për rreth 6 orë. Takimet nisën që në orën 10:30 të kësaj të shtune. Ato kanë vijuar intensivisht me gjithsej dy pauza.
Para takimit Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Ohër me Ali Ahmetin, kryetar i partisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim. Vuçiç nuk është treguar optimist ndërsa dhjetëra protestues mbushën sheshin dhe i kërkonin që të mos pranonte marrëveshjen ose të jepte dorëheqjen. Në fjalimin e tij, Vuçiç paralajmëroi se Lufta e Tretë Botërore nuk është larg duke dhënë mesazhin se ‘do ruajnë Serbinë e plotë’ duke shtuar se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë.
Ndërsa kryeministri i Kosovës është treguar optimist për takimin e sotëm duke e cilësuar si projektin më të madh të BE që nga Lufta e Dytë Botërore. Kryeministri Albin Kurti tha se nuk e mohon Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë, por s’pranon që të imponohet si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme.
Në fokus të diskutimeve të sotme ishte propozimi europian që Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marr.ëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.